16 Sa për të mbledhurit e ndihmave për shenjtorët, bëni edhe ju ashtu si i urdhërova kishat e Galatisë. 2 Të parën ditë të çdo jave, secili nga ju le të vërë mënjanë aq sa mundet sipas të ardhurave të tij, që, kur të vij, të mos bëhen atëherë mbledhje ndihmash. 3 Edhe, kur të vij, ata që ju do të miratoni, unë do t’i dërgoj me letra, që të çojnë në Jeruzalem dhuratën tuaj bujare. 4 Dhe po të jetë e udhës që të shkoj vetë, ata do të shkon me mua. 5 Edhe unë do të vij te ju, pasi të kem kaluar nëpër Maqedoni. 6 Dhe ndoshta do të rri te ju, ose edhe të dimëroj, që ju të më përcillni kudo që të shkoj. 7 Sepse kësaj here nuk dua t’ju shoh vetëm kalimthi, por shpresoj të rri pak kohë pranë jush, në dashtë Zoti. 8 Dhe unë do të rri në Efes deri për Rrëshajët, 9 sepse m’u hap një derë e madhe dhe e efektshme, dhe kundërshtarë ka shumë. 10 Tani, nëse vjen Timoteu, kujdesuni që të rrijë me ju pa druajtje, sepse ai punon për veprën e Zotit ashtu si unë. 11 Pra, asnjë të mos e përçmojë, por përcilleni në paqe që të vijë tek unë, sepse e pres bashkë me vëllezërit. 12 Sa për vëllanë Apol, iu luta shumë që të vijë tek ju bashkë me vëllezërit, por ai s’deshi kurrsesi të vinte tani; por do të vijë kur ta ketë volinë. 13 Rrini zgjuar, qëndroni të palëkundshëm në besim, silluni si burrat, jini të fortë. 14 Dhe çdo gjë që bëni, ta bëni me dashuri! 15 Tani, o vëllezër (ju e njihni familjen e Stefanas që është fryti i parë i Akaisë dhe që i janë kushtuar shërbesës së shenjtorëve), 16 ju bëj thirrje që t’u nënshtroheni edhe ju atyreve dhe kujtdo që punon dhe mundohet në punën tonë të përbashkët. 17 Edhe gëzohem për ardhjen e Stefanas, të Fortunatit dhe të Akaikut, sepse ata e plotësuan mungesën tuaj, 18 sepse e freskuan frymën tim dhe tuajin; prandaj nderoni njerëz të tillë. 19 Kishat e Azisë ju përshëndesin; Akuila dhe Prishila, bashkë me kishën që është në shtëpi të tyre, ju përshendesin shumë në Zotin. 20 Të gjithë vëllezërit ju përshëndesin; përshëndetni njëri-tjetrin me një puthje të shenjtë. 21 Të fala me shëndet me dorën time, të Palit. 22 Nëse ndokush nuk e do Zotin Jezu Krisht, qoftë mallkuar! Maranatha a. 23 Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me ju. 24 Dashuria ime qoftë me ju të gjithë në Krishtin Jezu. Amen.