Psalmet 113

113 Aleluja. Lëvdoni, o shërbëtorë të Zotit, lëvdoni emrin e Zotit. Qoftë i bekuar emri i Zotit tani dhe përjetë. Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij u lëvdoftë emri i Zotit. Zoti shkëlqen mbi tërë kombet, lavdia e tij ndodhet përmbi qiejtë. Kush i përngjan Zotit, Perëndisë tonë, që banon në vende shumë të larta, kush ulet për të parë gjërat që ndodhen në qiejtë dhe mbi tokë? Ai e ngre të mjerin nga pluhuri dhe nevojtarin nga plehrat, për ta bërë të ulet me princat, me princat e popullit të tij. Ai bën që gruaja shterpe të banojë në familje, si nënë e lumtur e fëmijëve. Aleluja.