4 Një grua, bashkëshortja e një dishepulli të profetëve, i thirri Eliseut duke i thënë: “Shërbëtori yt, burri im, vdiq, dhe ti e di që shërbëtori yt kishte frikë nga Zoti; tani huadhënësi ka ardhur për të marrë dy bijtë e mi, për t’i bërë skllevër të tij”. 2 Eliseu i tha: “Ç’duhet të bëj për ty? Më thuaj, çfarë ke në shtëpi?”. Ajo u përgjigj: Shërbëtorja jote nuk ka asgjë në shtëpi përveç një ene të vogël me vaj”. 3 Atëherë ai i tha: “Shko dhe kërko hua nga gjithë fqinjët e tu disa enë boshe; dhe mos u kërko pak. 4 Kur të kthehesh, mbyll portën prapa teje dhe bijve të tu, pastaj derdh vajin në tërë enët, duke vënë mënjanë ato që do të mbushen”. 5 Ajo u largua prej tij dhe mbylli portën pas vetes dhe të bijve; këta i sillnin enët dhe ajo derdhte vajin në to. 6 Kur enët u mbushën, ajo i tha të birit: “Sillmë edhe një enë”. Por ai iu përgjigj: “Nuk ka më enë”. Dhe vaji u ndal. 7 Atëherë ajo shkoi t’ia njoftojë ngjarjen njeriut të Perëndisë, që i tha: Shko të shesësh vajin dhe paguaj borxhin tënd; me atë që do teprojë, ke përr të jetuar ti dhe bijtë e tu”. 8 Ndodhi që një ditë Eliseu shkoi në Shunem, ku banonte një grua e pasur, dhe kjo e detyroi të hante pak ushqim. Kështu sa herë që ai kalonte andej, shkonte të hante tek ajo. 9 Ajo i tha burrit të saj: “Ja, unë jam e sigurt që ai që kalon gjithnjë te neve është një njeri i shenjtë i Perëndisë. 10 Të lutem, të ndërtojmë një dhomë të vogël me mur në katin e sipërm dhe të vëmë për të një shtrat, një tryezë, një karrige dhe një shandan; kështu, kur të vijë te ne, mund të rrijë në atë dhomë”. 11 Një ditë që Eliseu po kalonte andej shkoi në dhomën lart dhe u shtri. 12 Pastaj i tha Gehazit, shërbëtorit të tij: “Thirre këtë Shunamite”. Ai e thirri dhe ajo u paraqit përpara tij. 13 Pastaj Eliseu i tha shërbëtorit të tij: “I thuaj kështu: “Ja, ti ke treguar një kujdes të veçantë për ne; çfarë mund të bëj për ty? A dëshiron t’i them diçka në emrin tënd mbretit apo komandantit të ushtrisë?””. Ajo u përgjigj: 14 “Unë jetoj në mes të popullit tim”. Atëherë Eliseu i tha: “Çfarë mund të bëj për të?”. Gehazi u përgjigj: “Të thuash të vërtetën, ajo nuk ka fëmijë dhe burri i saj është i vjetër”. 15 Eliseu i tha: “Thirre!”. Ai e thirri dhe ajo u ndal te porta. 16 Atëherë Eliseu i tha: “Në këtë stinë, mot, ti do të përqafosh një bir”. Ajo u përgjigj: “Jo, imzot; o njeri i Perëndisë, mos e gënje shërbëtoren tënde!”. 17 Gruaja mbeti me barrë dhe lindi një djalë vitin tjetër, në po atë stinë siç i kishte thënë Eliseu. 18 Fëmija u rrit; një ditë që kishte vajtur tek i ati bashkë me korrësit, 19 i tha të atit: “Koka ime, koka ime!”. I ati urdhëroi shërbëtorin e tij: Çoje tek e ëma!!”. 20 Ky e mori dhe e çoi tek e ëma. Fëmija qëndroi në prehrin e saj deri në mesditë, pastaj vdiq. 21 Atëherë ajo u ngjit, u shtri në shtratin e njeriut të Perëndisë, mbylli portën prapa tij dhe doli. 22 Pastaj thirri burrin e saj dhe i tha: “Të lutem, më dërgo një nga shërbëtorët e tu dhe një gomare; po vrapoj te njeriu i Perëndisë dhe po kthehem”. 23 Ai e pyeti: “Pse dëshiron të shkosh tek ai pikërisht sot? Nuk është as dita e hënës së re, as e shtuna”. Ajo u përgjigj: “Çdo gjë do të shkojë mbarë!”. 24 Pastaj vuri t’i shalojnë gomaren dhe urdhroi shërbëtorin e vet: “Më udhëhiq dhe shko përpara; mos e ngadalëso hapin për mua, veçse po ta urdhërova unë”. 25 Kështu ajo u nis dhe shkoi te njeriu i Perëndisë, në malin Karmel. Sa e pa njeriu i Perëndisë nga larg, i tha Gehazit, shërbëtorit të tij: “Ja, Shunamitja! 26 Të lutem, shko ta takosh dhe i thuaj: “A je mirë? A është mirë burri yt? Dhe fëmija a është mirë?””. Ajo u përgjigj: “Janë mirë”. 27 Kur arriti te njeriu i Perëndisë në mal, i përqafoi këmbët. Gehazi u afrua për ta larguar, por njeriu i Perëndisë i tha: “Lëre të qetë, sepse e ka shpirtin të trishtuar, dhe Zoti ma ka fshehur dhe nuk ma ka treguar”. 28 Ajo tha: “A i kisha kërkuar, vallë një bir zotit tim? A nuk të kisha thënë vallë: “Mos më gënje”?”. 29 Atëherë Eliseu i tha Gehazit: “Ngjeshe brezin, merr në dorë bastunin tim dhe nisu. Në qoftë se takon ndonjë njeri, mos e përshëndet; dhe në qoftë se dikush të përshëndet, mos iu përgjigj: do ta vendosësh bastunin tim mbi fytyrën e fëmijës”. 30 E ëma e fëmijës i tha Eliseut: “Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që edhe ti rron, unë nuk do të të lë”. Kështu Eliseu u ngrit dhe i shkoi pas. 31 Gehazi i kishte paraprirë dhe kishte vënë bastunin mbi fytyrën e fëmijës, por nuk pati as zë as përgjigje. Prandaj ai u kthye të takohet me Eliseun dhe i tregoi atë që i kishte ndodhur, duke i thënë: “Fëmija nuk u zgjua”. 32 Kur Eliseu hyri në shtëpi, e pa fëmijën të vdekur dhe të shtrirë në shtratin e tij. 33 Atrëherë ai hyri, mbylli derën pas atyre të dyve dhe iu lut Zotit. 34 Pastaj hipi mbi shtratin dhe u shtri mbi fëmijën; vuri gojën e vet mbi gojën e tij, duart e veta mbi duart e tij; u shtri mbi të dhe mishi i fëmijës filloi të ngrohet. 35 Pastaj Eliseu u tërhoq prapa dhe shkoi sa andej e këtej nëpër shtëpi; pas kësaj u ngjit përsëri dhe u shtri mbi fëmijën; fëmija teshtiu shtatë herë dhe hapi sytë. 36 Atëherë ai thirri Gehazin dhe i tha: “Thirre Shunamiten”. Ai e thirri; kur ajo arriti tek Eliseu, ky i tha: “Merre djalin tënd”. 37 Ajo hyri dhe u hosh në këmbët e tij, duke u shtrirë për tokë; pastaj mori djalin e saj dhe doli. 38 Pasta Eliseu u kthye në Gilgal; kishte rënë zia e bukës në vend. Ndërsa dishepujt e profetëve ishin ulur përpara tij, ai i tha shërbëtorit të tij: Vër mbi zjarr kusinë e madhe dhe përgatit një supë për dishepujt ee profetit”. 39 Njeri prej tyre që kishte dalë ndër fusha për të mbledhur barëra, gjeti një bimë të egër kacavarëse, prej së cilës mblodhi kolokuintidet dhe mbushi veshjen e tij me to; pastaj u kthye dhe i copëtoi në kusinë e supës, megjithëse nuk e dinte se ç’ishin. 40 Pastaj ua zbrazën supën burrave që ta hanin, por ata e provuan dhe thanë: “Vdekja është në kusi, o njeri i Perëndisë,” dhe nuk mundën ta hanë. 41 Eliseu urdhëroi atëherë: “Më sillni miell”. E hodhi në kusi, pastaj tha: Ua zbrazni njerëzve që ta hanëë”. Dhe nuk kishte më asgjë të keqe në kusi. 42 Erdhi pastaj një njeri nga Baal-Shalila, që i solli njeriut të Perëndisë bukë nga korrja e parë; njëzet bukë prej elbi dhe disa kallinj gruri. Eliseu tha: “Jepjua njerëzve që ta hanë”. 43 Por shërbëtori i tij u përgjigj: “Si mund ta shtroj këtë përpara njëqind vetave?”. Eliseu urdhëroi përsëri: “Jepjua njerëzve që ta hanë, sepse kështu thotë Zoti: “Do të hanë dhe ka për të tepruar””. 44 Kështu ai e shtroi para njerëzve, që hëngrën dhe teproi sipas fjalës së Zotit.