1 Pali, apostull (jo nga njerëzit, as me anë të njeriut, por nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Perëndisë Atit, që e ringjalli prej së vdekurish), 2 dhe gjithë vëllezërit që janë me mua, kishave të Galatisë: 3 Paçi hir e paqe nga Perëndia Ati dhe nga Zoti ynë Jezu Krishti, 4 që e dha veten e tij për mëkatet tona, për të na shpëtuar nga kjo kohë e mbrapshtë, sipas vullnetit të Perëndisë, Atit tonë, 5 i cili pastë lavdi në shekuj të shekujve. Amen. 6 Çuditëm që kaluat kaq shpejt nga ai që ju thirri ju me anë të hirit të Krishtit, në një ungjill tjetër, 7 i cili nuk është tjetër; por ka disa njerëz që ju turbullojnë dhe që duan ta shtrëmbërojnë ungjillin e Krishtit. 8 Por, edhe sikur ne ose një engjëll i qiellit t’ju predikonte një ungjill të ndryshëm nga ai që ju kemi predikuar, qoftë i mallkuar. 9 Ashtu si e thamë më përpara, po e them përsëri: Në qoftë se dikush ju predikon një ungjill tjetër nga ai që keni marrë, qoftë i mallkuar. 10 Sepse unë tani vallë kërkoj të fitoj miratimin e njerëzve apo të Perëndisë? Apo kërkoj t’u pëlqej njerëzve? Sepse, po të kërkoja t’u pëlqej njerëzve, nuk do të isha shërbëtori i Krishtit. 11 Tani, o vëllezër, po ju vë në dijeni se ungjilli që është shpallur nga unë, nuk është sipas njeriut, 12 sepse unë nuk e kam marrë as e kam mësuar nga ndonjë njeri, por e kam marrë nëpërmjet një zbulese nga Jezu Krishti. 13 Sepse ju keni dëgjuar për sjelljen time të atëhershme në judaizëm, si e përndiqja me egërsi të madhe kishën e Perëndisë dhe e shkatërroja. 14 Dhe si përparoja në judaizëm më tepër se shumë bashkëkohës të kombit tim, duke qenë jashtëzakonisht i zellshëm për traditat e etërve të mi. 15 Po, kur i pëlqeu Perëndisë, që më kishte ndarë që nga barku i nënës dhe më thirri me anë të hirit të tij, 16 që të zbulojë në mua Birin e tij, që unë t’ua shpall midis joçifutëve, unë nuk mora menjëherë këshill nga mish dhe gjak, 17 as nuk u ngjita në Jeruzalem tek ata që ishin apostuj përpara meje, por shkova në Arabi dhe u ktheva përsëri në Damask. 18 Pastaj, pas tre vjetësh, u ngjita në Jeruzalem për të takuar Pjetrin dhe ndenja me të pesëmbëdhjetë ditë. 19 Dhe nuk pashë asnjë nga apostujt e tjerë, përveç Jakobit, vëllait të Zotit. 20 Dhe në këto që po ju shkruaj, ja, përpara Perëndisë, nuk gënjej. 21 Pastaj shkova në krahinat e Sirisë dhe të Kilikisë. 22 Por unë personalisht isha i panjohur nga kishat e Judesë, që janë në Krisht, 23 po ato kishin dëgjuar vetëm: “Ai që na persekutonte më përpara, tani po shpall atë besim që ai shkatërronte,” 24 dhe përlëvdonin Perëndinë për shkakun tim.