17 Pastaj Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: 2 “Folu bijve të Izraelit dhe bëj që të të japin shufra, një për çdo shtëpi të etërve të tyre, domethënë dymbëdhjetë shufra nga të gjithë prijësit e tyre simbas shtëpive të etërve të tyre; do të shkruash emrin e secilit mbi shufrën e tij; 3 dhe do të shkruash emrin e Aaronit mbi shufrën e Levit, sepse do të ketë një shufër për çdo kryetar të shtëpive të etërve të tyre. 4 Pastaj do t’i vësh në çadrën e mbledhjes, përpara dëshmisë, ku unë takohem me ju. 5 Dhe do të ndodhë që shufra e njeriut që unë zgjedh, do të lulëzojë dhe unë do të bëj që të pushojnë murmuritjet e bijve të Izraelit kundër jush”. 6 Kështu Moisiu u foli bijve të Izraelit dhe të gjithë prijësit e tyre i dhanë secili një shufër, simbas shtëpive të etërve të tyre, domethënë dymbëdhjetë shufra; dhe shufra e Aaronit ishte midis shufrave të tyre. 7 Pastaj Moisiu i vuri këto shufra përpara Zotit në çadrën e dëshmisë. 8 Të nesërmen Moisiu hyri në çadrën e dëshmisë; dhe ja, shufra e Aaronit për shtëpinë e Levit kishte lulëzuar; kishte nxjerrë lastarë, kishte çelur lule dhe kishte prodhuar bajame. 9 Atëherë nxori tërë shufrat jashtë pranisë së Zotit, përpara të gjithë bijve të Izraelit; dhe ata i panë dhe secili mori shufrën e vet. 10 Pastaj Zoti i tha Moisiut: “Ktheja shufrën Aaronit përpara çadrës së dëshmisë, me qëllim që të ruhet si një shenjë qortimi për rebelët, me qëllim që të marrin fund murmuritjet e tyre kundër meje dhe ata të mos vdesin”. 11 Moisiu veproi ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti. 12 Bijtë e Izraelit i folën pastaj Moisiut, duke i thënë: “Ja, po vdesim, kemi marrë fund, të gjithë kemi marrë fund! 13 Kushdo që i afrohet tabernakullit të Zotit, vdes; duhet të vdesim të gjithë?”.