11 Roboami, me të arritur në Jeruzalem, thirri shtëpinë e Judës dhe të Beniaminit, njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarë të zgjedhur, për të luftuar kundër Izraelit dhe për t’i kthyer kështu mbretërinë Roboamit. 2 Por fjala e Zotit iu drejtua kështu Shemajahut, njeriu i Perëndisë, duke thënë: 3 “Foli Roboamit, birit të Salomonit, mbretit të Judës, dhe tërë Izraelit në Judë dhe në Beniamin, dhe u thuaj atyre: 4 Kështu flet Zoti: “Mos dilni të luftoni kundër vëllezërve tuaj. Secili të kthehet në shtëpinë e vet, sepse kjo gjë vjen nga unë””. Atëherë ata iu bindën fjalës të Zotit dhe u kthyen prapa pa dalë kundër Jeroboamit. 5 Roboami banoi në Jeruzalem dhe ndërtoi disa qytete për mbrojtje në Judë. 6 Ai ndërtoi Betlemin, Etamin, Tekoan, 7 Beth-Tsurin, Sokon, Adulamin, 8 Gathin, Mareshahun, Zifin, 9 Adoraimin, Lakishin, Azkahun, 10 Tsorahun, Ajalonin dhe Hebronin, që u bënë qytete të fortifikuara në Judë dhe në Beniamin. 11 Përforcoi fortesat dhe vendosi komandantë dhe depo ushqimesh, vaji dhe vere. 12 Në çdo qytet vendosi mburoja dhe shtiza dhe i bëri jashtëzakonisht të forta. Kështu ai pati me vete Judën dhe Beniaminin. 13 Përveç kësaj nga të gjitha territoret e tyre priftërinjtë dhe Levitët e tërë Izraelit morën anën e tij. 14 Në të vërtetë Levitët braktisën tokat e tyre për kullotë dhe pronat e tyre dhe shkuan në Judë dhe në Jeruzalem, sepse Jeroboami me bijtë e tij i kishte përzënë nga shërbimi si priftërinj të Zotit, 15 dhe kishte caktuar priftërinj për vendet e larta, për demonët dhe për viçat që kishte bërë. 16 Mbas Levitëve ata nga gjithë fiset e Izraelit që kishin vendosur në zemër të tyre të kërkonin Zotin, Perëndinë e Izraelit, vajtën në Jeruzalem për t’i ofruar flijime Zotit, Perëndisë të etërve të tyre. 17 Kështu e përforcuan mbretërinë e Judës dhe e bënë të qëndrushëm për tre vjet Roboamin, birin e Salomonit, sepse për tre vjet ndoqën rrugën e Davidit dhe të Salomonit. 18 Roboami mori për grua Mahalathën, bijën e Jerimothit, birit të Davidit dhe i Abihajlit, bijës së Eliabit që ishte bir i Isait. 19 Ajo i lindi fëmijët Jeush, Shemariah dhe Zaaham. 20 Mbas asaj mori për grua Maakahën, bijën e Absalomit, e cila i lindi Abijahun, Atain, Zizan dhe Shelomithin. 21 Roboami e donte Maakahën, bijën e Absalomit, më tepër se të gjitha bashkëshortet e konkubinat e tij (ai mori tetëmbëdhjetë bashkëshorte dhe shtatëdhjetë konkubina dhe i lindën njëzet e tetë djem dhe gjashtëdhjetë vajza). 22 Roboami e caktoi Abijahun, birin e Maakahës, si të parë që të ishte princ midis vëllezërve të tij, sepse mendonte ta bënte mbret. 23 Ai veproi me zgjuarsi dhe i shpërndau disa nga bijtë e tij në të gjitha vendet e Judës dhe të Beniaminit, në të gjitha qytetet e fortifikuara; u dha atyre ushqime me shumicë dhe kërkoi për ta shumë bashkëshorte.