5 “Bërtit, pra! A ka vallë ndonjë që të përgjigjet? Kujt prej shenjtorëve do t’i drejtohesh? 2 Zemërimi në fakt e vret të pamendin dhe zilia e vret budallanë. 3 E kam parë të pamendin të lëshojë rrënjë, por shumë shpejt e mallkova banesën e tij. 4 Bijtë e tij nuk kanë asnjë siguri, janë të shtypur te porta, dhe nuk ka njeri që t’i mbrojë. 5 I urituri përpin të korrat e tij, ia merr edhe sikur të jenë midis gjembave, dhe një lak përpin pasurinë e tij. 6 Sepse shpirtligësia nuk del nga pluhuri dhe mundimi nuk mbin nga toka; 7 por njeriu lind për të vuajtur, ashtu si shkëndija për t’u ngjitur lart. 8 Por unë do të kërkoja Perëndinë, dhe Perëndisë do t’i besoja çështjen time, 9 atij që bën gjëra të mëdha dhe që nuk mund të njihen; mrekulli të panumërta, 10 që i jep shiun tokës dhe dërgon ujin në fushat; 11 që ngre të varfrit dhe vë në siguri lart ata që vuajnë. 12 I bën të kota synimet e dinakëve, dhe kështu duart e tyre nuk mund të realizojnë planet e tyre; 13 i merr të urtët në dredhinë e tyre, dhe kështu këshilla e të pandershmëve shpejt bëhet tym. 14 Gjatë ditës ata hasin në errësirë, bash në mesditë ecin me tahmin sikur të ishte natë; 15 por Perëndia e shpëton nevojtarin nga shpata, nga goja e të fuqishmëve dhe nga duart e tyre. 16 Kështu ka shpresë për të mjerin, por padrejtësia ia mbyll gojën atij. 17 Ja, lum njeriu që Perëndia dënon; prandaj ti mos e përbuz ndëshkimin e të Plotfuqishmit; 18 sepse ai e bën plagën, dhe pastaj e fashon, plagos, por duart e tij shërojnë. 19 Nga gjashtë fatkeqësi ai do të të çlirojë, po, në të shtatën e keqja nuk do të të prekë. 20 Në kohë zie do të të shpëtojë nga vdekja, në kohë lufte nga forca e shpatës. 21 Do t’i shpëtosh fshikullit të gjuhës, nuk do të trembesh kur të vijë shkatërrimi. 22 Do të qeshësh me shkatërrimin dhe me zinë, dhe nuk do të kesh frikë nga bishat e dheut; 23 sepse do të kesh një besëlidhje me gurët e dheut, dhe kafshët e fushave do të jenë në paqe me ty. 24 Do të dish që çadra jote është e siguruar; do të vizitosh kullotat e tua dhe do të shikosh që nuk mungon asgjë. 25 Do të kuptosh që pasardhësit e tu janë të shumtë dhe të vegjlit e tu si bari i fushave. 26 Do të zbresësh në varr në moshë të shkuar, ashtu si në stinën e vet mblidhet një tog duajsh. 27 Ja ç’kemi gjetur; kështu është. Dëgjoje dhe përfito”.