35 Elihu vazhdoi të flasë dhe tha: 2 “A të duket një gjë e drejtë kur thua: “Jam më i drejtë se Perëndia”? 3 Në fakt ke thënë: “Ç’dobi ke? Çfarë dobie do të kisha nga mëkati im?”. 4 Do të të përgjigjem ty dhe miqve të tu bashkë me ty. 5 Sodite qiellin dhe shiko me kujdes; shih retë, që ndodhen më lart se ti. 6 Në qoftë se ti mëkaton, çfarë efekti ka mbi të? Në qoftë se ti i shumëzon prapësitë e tua çfarë dëmi i shkakton? 7 Në rast se je i drejtë, çfarë i jep, ose çfarë merr ai nga dora jote? 8 Ligësia jote mund të dëmtojë vetëm një njeri si ti, dhe drejtësia jote mundet t’i sjellë vetëm dobi birit të një njeriu. 9 Ngrihet zëri për numrin e madh të shtypjeve, ngrihet zëri për të kërkuar ndihmë për shkak të dhunës së të fuqishmëve; 10 por asnjeri nuk thotë: “Ku është Perëndia, krijuesi im, që natën të jep këngë gëzimi, 11 që na mëson më tepër gjëra se sa kafshëve të fushave dhe na bën më të urtë se zogjtë e qiellit?” 12 Kështu ngrihen zëra, por ai nuk përgjigjet për shkak të krenarisë së njerëzve të këqij. 13 Me siguri Perëndia nuk ka për t’i dëgjuar ligjëratat boshe dhe i Plotfuqishmi nuk do t’jua vërë veshin. 14 Edhe sikur ti të thuash se nuk e shikon atë, çështja jote qëndron para tij, dhe ti duhet të presësh. 15 Por tani, duke qenë se në zemërimin e tij ai nuk dënon dhe nuk u jep shumë rëndësi shkeljeve, 16 Jobi hap kot buzët dhe mbledh fjalë që nuk kanë arsye”.