29 I jepni Zotit, o bij të të fuqishmëve, i jepni Zotit lavdi dhe forcë. 2 I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të tij; adhuroni Zotin në shkëlqimin e shenjtërisë së tij. 3 Zëri i Zotit është mbi ujërat; Perëndia i lavdisë gjëmon; Zoti është mbi ujërat e mëdha. 4 Zëri i Zotit është i fuqishëm, zëri i Zotit është i madhërishëm. 5 Zëri i Zotit thyen kedrat; po, Zoti thyen kedrat e Libanit; 6 i bën të hidhen si një viç, Libanin dhe Sirionin, si një buall i ri. 7 Zëri i Zotit çan flakët e zjarrit. 8 Zëri i Zotit e bën shkretëtirën të dridhet; Zoti bën që të dridhet shkretëtira e Kadeshit. 9 Zëri i Zotit bën që të lindin sutat dhe i lë pyjet pa gjethe; dhe në tempullin e tij çdo gjë thotë: “Lavdi!”. 10 Zoti rrinte ulur në fron përmbi përmbytjen; po, Zoti rri ulur si mbret në përjetësi. 11 Zoti do t’i japë forcë popullit të tij; Zoti do të bekojë popullin e tij me paqe.