1 Këta janë emrat e bijve të Izraelit që erdhën në Egjipt me Jakobin. Secili prej tyre erdhi me familjen e tij: 2 Rubeni, Simeoni, Levi dhe Juda, 3 Isakari, Zabuloni dhe Beniamini, 4 Dani dhe Naftali, Gadi dhe Asheri. 5 Tërë njerëzit që kishin dalë nga gjaku i Jakobit arrinin shtatëdhjetë veta (Jozefi ndodhej tashmë në Egjipt). 6 Pastaj Jozefi vdiq, dhe po ashtu vdiqën tërë vëllezërit e tij dhe gjithë ai brez. 7 Dhe bijtë e Izraelit qenë frytdhënës, u shumëzuan fort dhe u bënë të shumtë, u bënë jashtëzakonisht të fortë; dhe vendi u mbush me ta. 8 Por tani doli në Egjipt një mbret i ri, që nuk e kishte njohur Jozefin. 9 Ai i tha popullit të tij: “Ja, populli i bijve të Izraelit është më i shumtë dhe më i fortë se ne. 10 Të përdorim, pra, dinakëri ndaj tyre, me qëllim që të mos shumëzohen dhe, në rast lufte të mos bashkohen me armiqtë tanë dhe të luftojnë kundër nesh, dhe pastaj të largohen nga vendi”. 11 Vunë, pra, kryeintendentë të punimeve mbi ta, me qëllim që t’i shtypnin me angaritë e tyre. Kështu ata i ndërtuan Faraonit qytetet-depozitë Pitom dhe Raamses. 12 Por sa më tepër i shtypnin, aq më shumë shtoheshin dhe përhapeshin; prandaj Egjiptasit arritën të kenë shumë frikë nga bijtë e Izraelit, 13 dhe Egjiptasit i detyruan bijtë e Izraelit t’u shërbenin me ashpërsi, 14 dhe ua nxinë jetën me një skllavëri të vrazhdë, duke i futur në punimin e argjilës dhe të tullave si dhe në çdo lloj pune në ara. I detyronin t’i bënin tërë këto punë me ashpërsi. 15 Mbreti i Egjiptit u foli edhe mamive hebre, nga të cilat njëra quhej Shifrah dhe tjetra Puah, dhe u tha: 16 “Kur do të ndihmoni gratë hebre lindëse, dhe do t’i shihni të ulura në ndenjësen e lindjes, në rast se fëmija është mashkull, vriteni; po të jetë femër, lëreni të jetojë”. 17 Por mamitë patën frikë nga Perëndia dhe nuk bënë ashtu siç i kishte urdhëruar mbreti i Egjiptit, por i lanë gjallë fëmijët meshkuj. 18 Atëherë mbreti i Egjiptit thirri mamitë dhe u tha: “Pse e bëtë këtë dhe i latë gjallë fëmijët meshkuj?”. 19 Mamitë iu përgjigjën Faraonit: “Sepse gratë hebre nuk janë si gratë egjiptase, por janë të fuqishme dhe lindin para se t’u vijë mamia pranë”. 20 Dhe Perëndia u bëri të mirë këtyre mamive; dhe populli u shtua dhe u bë jashtëzakonisht i fortë. 21 Kështu, duke qenë se ato mami kishin frikë nga Perëndia, ky u dha familje më vete. 22 Atëherë Faraoni i dha këtë urdhër tërë popullit të tij duke thënë: “Çdo mashkull që lind, hidheni në lumë; por lini gjallë tërë femrat”.