85 O Zot, ti ke qenë i mbarë për tokën tënde dhe e ke kthyer Jakobin nga robëria. 2 Ti ke falur paudhësinë e popullit tënd dhe ke mbuluar tërë mëkatet e tyre. (Sela) 3 Ti ke larguar gjithë indinjatën tënde dhe ke lënë mënjanë zemërimin tënd të zjarrtë. 4 Na përtëri, o Perëndi i shpëtimit tonë, dhe jepi fund indinjatës sate kundër nesh. 5 A do të mbetesh i zemëruar me ne përjetë? A do ta vazhdosh zemërimin tënd brez pas brezi? 6 A nuk do të na japësh përsëri jetën, me qëllim që populli yt të mund të gëzohet te ti? 7 Tregona, o Zot, mirësinë tënde dhe falna shpëtimin tënd. 8 Una kam për të dëgjuar atë që Perëndia, Zoti, ka për të thënë; me siguri ai do t’i flasë për paqe popullit të tij dhe shenjtorëve të tij, por nuk do të lejojë që ata të jetojnë përsëri si njerëz pa mend. 9 Me siguri shpëtimi i tij është afër atyre që kanë frikë prej tij, sepse lavdia e tij mund të banojë në vendin tonë. 10 Mirësia dhe e vërteta u takuan; drejtësia dhe paqja janë puthur njera me tjetrën. 11 E vërteta do të mbijë nga toka dhe drejtësia do të shikojë nga qielli. 12 Po, Zoti do të japë atë që është e mirë, dhe toka jonë do të prodhojë frytin e saj. 13 Drejtësia do të ecë para tij dhe do të përgatisë udhën për hapat e tij.