106 Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. 2 Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij? 3 Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë. 4 Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd, 5 me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde. 6 Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija. 7 Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq. 8 Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij. 9 I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë. 10 I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut. 11 Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre. 12 Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij. 13 Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij. 14 U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi. 15 Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre. 16 Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit, 17 toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit. 18 Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët. 19 Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë, 20 dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëllytrën e një kau që ha bar. 21 Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt, 22 mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq. 23 Prandaj ai foli t’i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t’i shkatërronte. 24 Ata e përçmuan akoma vendin e mrekullueshëm, nuk i besuan fjalës së tij, 25 por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit. 26 Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t’i rrëzonte në shkretëtirë, 27 dhe se do t’i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t’i shpërndante në të gjitha vendet. 28 Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve. 29 E zemëruan Perëndinë me veprimet e tyre dhe në mes tyre plasi murtaja. 30 Por Finehasi u ngrit dhe bëri drejtësi; dhe murtaja pushoi. 31 Dhe kjo iu vu në llogari të drejtësisë, brez pas brezi, përjetë. 32 Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre, 33 sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij. 34 Ata nuk shkatërruan popujt, siç i kishte porositur Zoti; 35 por u përzien midis popujve dhe mësuan veprat e tyre; 36 u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta; 37 ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre, 38 dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujtë e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur. 39 Kështu ata u ndotën me veprat e tyre dhe u kurvëruan me aktet e tyre. 40 Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij. 41 I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin. 42 Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre. 43 Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre. 44 Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre, 45 dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhemshurinë e madhe të tij u qetësua. 46 Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri. 47 Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar. 48 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: “Amen”. Aleluja.