20 Vera është tallëse, pija dehëse është e turbullt dhe kush jepet pas tyre nuk është i urtë. 2 Zëmërimi i mbretit është si ulërima e luanit; kush ia nxit zemërimin mëkaton kundër vetë jetës së vet. 3 Éshtë një lavdi për njeriun t’u shmanget grindjeve, por çdo budalla përzihet në to. 4 Përtaci nuk lëron për shkak të të ftohtit; për pasojë do të lypë në kohën e vjeljeve, por nuk do të ketë asgjë. 5 Këshilla në zemrën e njeriut është si uji i thellë, por njeriu me mend do të dijë të mbushë nga ai ujë. 6 Shumë njerëz shpallin mirësinë e tyre; por kush mund të gjejë një njeri besnik? 7 I drejti ecën në ndershmërinë e tij; bijtë e tij do të bekohen pas atij. 8 Një mbret që ulet mbi fronin e gjyqit davarit me vështrimin e tij çdo të keqe. 9 Kush mund të thotë: “Pastrova zemrën time, jam i pastruar nga mëkati im”? 10 Peshimi i dyfishtë dhe matja e dyfishtë janë që të dyja gjëra të neveritshme për Zotin. 11 Edhe fëmija me veprimet e tij tregon në se ajo që bën është e pastër dhe e ndershme. 12 Veshin që dëgjon dhe syrin që sheh i ka bërë që të dy Zoti. 13 Mos e duaj gjumin që të mos varfërohesh; mbaji sytë hapur dhe do të kesh bukë sa të ngopesh. 14 “Éshtë i keq, është i keq,” thotë blerësi; por mbasi ai ka ikur, lavdërohet për blerjen. 15 Ka flori dhe margaritarë të shumtë, por buzët e pasura me dije janë një xhevahir i çmuar. 16 Merr rroben e atij që është bërë garant për një të huaj, dhe mbaje si peng për gruan e huaj. 17 Buka e nxjerrë me hile është e ëmbël për njeriun, por pastaj goja e tij do të mbushet me zaje. 18 Planet bëhen të qëndrueshme nga këshilla; prandaj bëje luftën me këshilla të urta. 19 Ai që shkon poshtë e lart duke përfolur tregon sekretet; prandaj mos u shoqëro me atë që flet tepër. 20 Atij që mallkon të atin dhe të ëmën, llamba do t’i shuhet në terrin më të madh. 21 Trashëgimia e fituar me nxitim në fillim, nuk do të bekohet në fund. 22 Mos thuaj: “Do t’i përgjigjem së keqes me të keqen”; ki shpresë te Zoti dhe ai do të të shpëtojë. 23 Peshimi i dyfishtë është i neveritshëm për Zotin dhe peshorja e pasaktë nuk është një gjë e mirë. 24 Hapat e njeriut vijnë nga Zoti; si mund ta njohë, pra, njeriu rrugën e vet? 25 Éshtë një kurth për njeriun të marrë një zotim pa e matur mirë dhe, mbasi ta ketë marrë, të mendohet. 26 Një mbret i urtë i shpartallon njerëzit e këqij dhe kalon mbi ta rrotën. 27 Shpirti i njeriut është llamba e Zotit, që vëzhgon tërë skutat më të fshehta të zemrës. 28 Mirësia dhe besnikëria ruajnë mbretin; ai e bën të qëndrueshëm fronin e tij me anë të mirësisë. 29 Lavdia e të rinjve është forca e tyre, nderi i pleqve janë thinjat e tyre. 30 Të rrahurat që lënë plagë të thella e heqin të keqen, ashtu si goditjet që vijnë në pjesën më të brendshme të zorrëve.