32 Në vitin e dymbëdhjetë, në muajin e dymbëdhjetë, ditën e parë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë: 2 “Bir njeriu, nis një vajtim për Faraonin, mbretin e Egjiptit, dhe i thuaj: Ti i ngjason një luani të vogël midis kombeve; ishe si një dragua në dete dhe hidheshe në lumenjtë e tu, duke i trazuar ujrat me këmbët e tua dhe duke i turbulluar lumenjtë”. 3 Kështu thotë Zoti, Zoti: “Do të shtrij mbi ty rrjetën time me një kuvend të shumë popujve që do të ngrenë lart me rrjetën time. 4 Pastaj do të braktis mbi tokë dhe do të të hedh në fushë të hapur, do të bëj që të ulen mbi ty të gjitha shpendët e qiellit dhe do t’i ngop me ty kafshët e gjithë dheut. 5 Do ta hedh mishin tënd mbi male dhe do t’i mbush luginat me togun e skeletit tënd. 6 Do t’i jap gjithashtu tokës të pijë nga rrjedha e gjakut tënd, deri te malet, dhe shtretërit e lumenjve do të mbushen me ty. 7 Kur të të shuaj, do t’i mbuloj qiejt dhe do t’i errësoj yjet, do ta zë diellin me një re dhe hëna nuk do të japë më dritën e saj. 8 Mbi ty do të errësoj të gjithë ndriçuesit e shkëlqyer në qiell dhe do të dërgoj terrin në vendin tënd,” thotë Zoti, Zoti. 9 “Do të pikëlloj zemrën e shumë popujve, kur të bëj që të vijë shkatërrimi yt midis kombeve, në vende që ti nuk i njeh. 10 Do të bëj që shumë popuj të çuditen me ty dhe mbretërit e tyre do t’i pushtojë një tmerr i madh për shkakun tënd, kur të vringëllij shpatën time para tyre; secili prej tyre do të dridhet në çdo çast për jetën e tij, ditën e rënies sate”. 11 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: “Shpata e mbretit të Babilonisë do të bjerë mbi ty. 12 Do të bëj që turma jote të rrëzohet nga shpata e burrave të fuqishëm, që janë më të tmerrshmit ndër kombet; ata do të shkatërrojnë krenarinë e Egjiptit dhe gjithë turmat e tij do të asgjësohen. 13 Do të bëj që të ngordhë krejt gjëja e gjallë e tij mbi brigjet e ujrave të mëdha, që nuk do të turbullohen më nga këmba e njeriut, as thundra e kafshëve nuk do t’i turbullojë. 14 Atëherë do t’i lë të qetësohen ujrat e tyre dhe do të bëj që lumenjtë e tyre të rrjedhin si vaj,” thotë Zoti, Zoti. 15 “Kur do ta kem bërë të shkretë vendin e Egjiptit dhe vendi të jetë zhveshur nga çdo gjë që kishte, kur do të kem goditur gjithë banorët e tij, atëherë do të pranojnë se unë jam Zoti. 16 Ky është një vajtim që do të ngrenë për të, do ta ngrenë për bijat e kombeve; do ta ngrenë për Egjiptin dhe gjithë turmat e tij,” thotë Zoti, Zoti. 17 Vitin e dymbëdhjetë, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit mu drejtua, duke thënë: 18 “Bir njeriu, merrja një vajtimi për turmën e Egjiptit dhe zbrite në thellësinë e tokës, atë dhe bijat e kombeve të famshëm, që bashkë me ata zbresin në gropë. 19 Vallë kujt ia kalon nga bukuria? Zbrit dhe zër vend midis atyre që nuk janë rrethprerë. 20 Ata do të bien në mes të atyre që janë vrarë nga shpata. Ai i është dorëzuar shpatës; e tërheqin me gjithë turmat e tij. 21 Trimat më të fortë, bashkë me ata që e ndihmonin, do t’i flasin në mes të Sheolit: “Kanë zbritur dhe kanë zënë vend bashkë me ata që nuk janë rrethprerë, bashkë me ata që i ka shpuar shpata?”. 22 Atje është Asiria me gjithë turmën e saj, me varret e saj përreth; janë të gjithë të vrarë, të rënë nga shpata. 23 Varret e tyre janë vendosur në thellësinë e gropës dhe turma e saj është rreth varrit të tij; të gjithë janë të vrarë nga shpata, ata që përhapin tmerrin mbi dheun e të gjallëve. 24 Atje është Elami me gjithë turmën e tij rreth varrit të tij; janë të gjithë të vrarë, të rrëzuar nga shpata, që kanë zbritur pa u rrethprerë në thellësi të tokës, ata që përhapnin tmerr mbi dheun e të gjallëve; tani ata mbajnë turpin e tyre me ata që zbresin në gropë. 25 Kanë vënë shtratin e tij në mes të të vrarëve me gjithë turmën e tij, me varret e tyre rreth tij; të gjithë nuk janë rrethprerë, janë shpuar nga shpata, sepse kishin përhapur tmerrin mbi dheun e të gjallëve; por tani e mbajnë turpin e tyre me ata që zbresin në gropë; janë vendosur në mes të të vrarëve. 26 Atje është Mesheku, Tubali, dhe tërë turma e tyre, me varret e tyre rreth tij; të gjithë nuk janë rrethprerë, janë shpuar nga shpata, sepse përhapin tmerrin mbi dheun e të gjallëve. 27 Nuk rrijnë me heronjtë e rënë të atyre që nuk janë rrethprerë, që kanë zbritur në Sheol me armët e tyre të luftës dhe që shpatat e tyre janë vënë nën kokat e tyre; por ndëshkimi i paudhësive të tyre do t’u ngjitet kockave të tyre, megjithëse tmerri i këtyre trimave ishte i madh mbi dheun e të gjallëve. 28 Po, ti do të copëtohesh në mes të atyre që nuk janë rrethprerë dhe do të qëndrosh bashkë me ata që janë shpuar nga shpata. 29 Atje është Edomi, me të gjithë mbretërit e tij dhe me të tërë princat e tij, të cilët, megjithë trimërinë e tyre, janë vendosur bashkë me ata që janë shpuar nga shpata. Edhe këta rrinë bashkë me ata që nuk janë rrethprerë dhe me ata që zbresin në gropë. 30 Atje janë tërë princat e veriut dhe tërë Sidonasit që kanë zbritur bashkë me ata që janë shpuar të hutuar për shkak të tmerrit që u kallnin me fuqitë e tyre. Qëndrojnë të parrethprerë bashkë me ata që janë shpuar nga shpata dhe mbajnë turpin e tyre bashkë me ata që zbresin në gropë. 31 Faraoni do t’i shohë dhe do të ngushëllohet për të gjithë turmën e tij; Faraoni dhe tërë ushtria e tij do të shpohen nga shpata,” thotë Zoti, Zoti. 32 “Ndonëse e lashë të përhapë tmerrin e tij mbi dheun e të gjallëve, Faraoni me gjithë turmën e tij, do të vihet të qëndrojë në mes të atyre që nuk janë rrethprerë, me ata që janë shpuar nga shpata,” thotë Zoti, Zoti.