40 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke thënë: 2 “Ditën e parë të muajit të parë do të ngresh tabernakullin, çadrën e mbledhjes. 3 Do të vendosësh atje arkën e dëshmisë dhe do ta fshehësh arkën me një vel. 4 Do të sjellësh brenda tryezën dhe do të vendosësh mbi të gjërat që duhen; do të sjellësh gjithashtu shandanin dhe do të ndezësh llambat e tij. 5 Do të vendosësh altarin e artë për temjanin përpara arkës së dëshmisë, dhe do të vësh perden në hyrje të tabernakullit. 6 Do ta vësh altarin e olokausteve para hyrjes së tabernakullit, të çadrës së mbledhjes. 7 Do ta vendosësh legenin midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe do të vësh ujë në të. 8 Do t’i vendosësh perdet e oborrit rreth e qark dhe do të vësh një perde në hyrje të oborrit. 9 Pastaj do të marrësh vajin e vajosjes dhe do të vajosh tabernakullin dhe tërë gjërat që ndodhen aty, dhe do ta shenjtërosh me të gjitha veglat e tij; dhe do të jetë i shenjtë. 10 Do të vajosh altarin e olokausteve dhe tërë orenditë e tij; do të shenjtërosh kështu altarin dhe altari do të jetë shumë i shenjtë. 11 Do të vajosh edhe legenin me të gjithë bazën e tij dhe do ta shenjtërosh. 12 Pastaj do të afrosh Aaronin dhe bijtë e tij në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe do t’i lash me ujë. 13 Do ta veshësh Aaronin me rrobat e shenjta, do ta vajosh dhe do ta shenjtërosh, që të më shërbejë si prift. 14 Do të afrosh edhe bijtë e tij dhe do t’i veshësh me tunika, 15 do t’i vajosh ashtu si do të kesh vajuar atin e tyre, që të më shërbejnë si priftërinj; vajisja e tyre do t’u japë priftëri përjetë, brez pas brezi”. 16 Moisiu ashtu veproi; bëri pikërisht të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar. 17 Kështu ditën e parë të muajit të parë të vitit të dytë, u ndërtua tabernakulli. 18 Moisiu e ngriti tabernakullin, hodhi bazat e tij, sistemoi dërrasat e tij, i vuri traversat e tij dhe ngriti shtyllat e tij. 19 Mbi tabernakullin shtriu perden dhe mbi këtë vendosi mbulesën e çadrës, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 20 Pastaj mori dëshminë dhe e vendosi brenda arkës, u vuri shtizat unazave të arkës, dhe e vuri pajtuesin mbi arkë; 21 e çoi arkën në tabernakull, e vari velin e perdes dhe kështu fshehu arkën e dëshmisë, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 22 Vendosi gjithashtu tryezën në çadrën e mbledhjes, në krahun verior të tabernakullit, jashtë velit. 23 Vendosi sipër me rregull bukën përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 24 Pastaj vuri shandanin në çadrën e mbledhjes, përballë tryezës, nga ana jugore e tabernakullit; 25 dhe ndezi llambat përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 26 Pastaj vuri altarin e artë në çadrën e mbledhjes, përpara velit, 27 dhe mbi të dogji temjanin e parfumuar, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 28 Vuri gjithashtu perden në hyrje të tabernakullit. 29 Pastaj vendosi altarin e olokausteve në hyrje të tabernakullit, të çadrës së mbledhjes, dhe mbi të ofroi olokaustin dhe blatimin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 30 Pastaj vuri legenin midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe e mbushi me ujë për t’u larë. 31 Dhe me këtë ujë, Moisiu, Aaroni dhe bijtë e tij lanë duart dhe këmbët; 32 kur hynin në çadrën e mbledhjes dhe kur i afroheshin altarit, ata laheshin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 33 Ndërtoi gjithashtu oborrin rreth tabernakullit dhe altarit dhe vuri perden në hyrje të oborrit. Kështu Moisiu e përfundoi punën e tij. 34 Atëherë reja e mbuloi çadrën e mbledhjes dhe lavdia e Zotit e mbushi tabernakullin. 35 Dhe Moisiu nuk mundi të hyjë në çadrën e mbledhjes, sepse reja e kishte mbuluar nga sipër dhe lavdia e Zotit mbushte tabernakullin. 36 Në të tëra zhvendosjet e tyre, kur reja ngrihej mbi tabernakullin, bijtë e Izraelit niseshin; 37 por në rast se reja nuk ngrihej, nuk niseshin deri ditën që ajo të ngrihej. 38 Sepse reja e Zotit qëndronte mbi tabernakullin gjatë ditës, dhe natën mbi të qëndronte një zjarr, para syve të të gjithë shtëpisë së Izraelit, gjatë gjithë zhvendosjeve së tyre.?