6 Vëllezër, në qoftë se dikush bie në ndonjë faj, ju që jeni frymëror, lartësojeni me frymë butësie. Por ki kujdes veten tënde, se mos tundohesh edhe ti. 2 Mbani barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbushni ligjin e Krishtit. 3 Sepse në qoftë se dikush mendon se është diçka, pa qenë asgjë, ai gënjen veten e vet. 4 Dhe secili të analizojë veprën e tij dhe atëherë do të ketë arsye të mburret vetëm për veten e tij dhe jo lidhur me tjetrin. 5 Sepse secili do të mbajë barrën e vet. 6 Ai që merr mësim në fjalën, le ta bëjë pjestar të të gjitha të mirave të tij atë që e mëson. 7 Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë. 8 Sepse ai që mbjell për mish të tij, do të korrë nga mishi i tij prishje, por ai që mbjell për Frymë, do të korrë nga Fryma jetë të përjetshme. 9 Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet. 10 Prandaj, sa të kemi rast, le t’u bëjmë të mirën të gjithëve, por në radhë të parë atyre që janë në familjen e besimit. 11 Shikoni me çfarë shkronjash të mëdha ju kam shkruar me dorën time! 12 Të gjithë ata që duan të duken të mirë në mish, ju shtrëngojnë që të rrethpriteni vetëm që të mos përndiqeni për kryqin e Krishtit. 13 Sepse as vetë ata që rrethpriten nuk e zbatojnë ligjin, por duan që ju të rrethpriteni, që ata të mburren në mishin tuaj. 14 Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mburrem me tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht, për të cilin bota është kryqëzuar tek unë edhe unë te bota. 15 Sepse në Jezu Krishtin as rrethprerja, as parrethprerja s’kanë ndonjë vlerë, por krijesa e re. 16 Dhe të gjithë ata që do të ecin sipas kësaj rregulle paçin paqe dhe mëshirë, e ashtu qoftë edhe për Izraelin e Perëndisë. 17 Tash e tutje askush të mos më trazojë, sepse unë mbaj në trupin tim shenjat e Zotit Jezus. 18 Vëllezër, hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me frymën tuaj. Amen.