2 Tri ditë më vonë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë, dhe nëna e Jezusit ishte atje. 2 Edhe Jezusi me dishepujt e vet ishte ftuar në dasmë. 3 Duke qenë se mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!.” 4 Jezusi i tha: “Ç’ke me mua, o grua? Ora ime s’ka ardhur akoma!.” 5 Nëna e tij u tha shërbëtorëve: “Bëni gjithçka që ai t’ju thotë!.” 6 Aty ishin gjashtë enë prej guri, që përdoreshin për pastrimin e Judenjve, dhe secila nxënte dy ose tri masa. 7 Jezusi u tha: “Mbushni enët me ujë!.” Dhe ata i mbushën deri në grykë. 8 Pastaj u tha: “Nxirreni tani dhe çojani të parit të festës.” Dhe ata ia çuan. 9 Dhe, mbasi i pari i festës e provoi ujin e shndërruar në verë (ai nuk e dinte nga vinte kjo verë, por e dinin mirë shërbëtorët që e kishin nxjerrë ujin), i pari i festës e thirri dhëndrin, 10 dhe i tha: “Çdo njeri nxjerr në fillim verën më të mirë dhe, kur të ftuarit kanë pirë shumë, verën e keqe; ti, përkundrazi, e ke ruajtur verën e mirë deri tani!.” 11 Jezusi bëri këtë fillim të shenjave në Kanë të Galilesë dhe e shfaqi lavdinë e tij, dhe dishepujt e tij besuan në të. 12 Pas kësaj, ai zbriti në Kapernaum me nënën e tij, vëllezërit e tij dhe me dishepujt e tij; dhe ata qëndruan aty pak ditë. 13 Pra, Pashka e Judenjve ishte afër dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem. 14 Dhe në tempull gjeti ata që shisnin qe, dele e pëllumba dhe këmbyes monedhash duke ndenjur; 15 dhe si bëri një kamxhik me litarë, i dëboi të gjithë nga tempulli bashkë me qetë dhe delet, dhe ua hallakati paratë këmbyesve të monedhave dhe ua përmbysi tavolinat, 16 dhe shitësve të pëllumbave u tha: “Hiqni këto gjëra që këtej; mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!.” 17 Kështu dishepujve të tij i kujtohej se ishte shkruar: “Zelli i shtëpisë sate më ka përpirë!.” 18 Atëherë Judenjtë u përgjigjën dhe i thanë: “Ç’shenjë na tregon se i bën këto gjëra?.” 19 Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “Shkatërroni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre përsëri!.” 20 Atëherë Judenjtë thanë: “U deshën dyzet e gjashtë vjet që të ndërtohet ky tempull, dhe ti do ta ngresh për tri ditë?.” 21 Por ai fliste për tempullin e trupit të vet. 22 Kur, më pas, ai ishte ringjallur prej së vdekuri, dishepujt e vet u kujtuan se ai këtë ua kishtë thënë dhe u besuan Shkrimin dhe fjalëve që kishte thënë Jezusi. 23 Dhe kur qe në Jeruzalem për festën e Pashkës, shumë vetë besuan në emrin e tij duke parë shenjat që bënte, 24 por Jezusit nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë, 25 dhe sepse nuk kishte nevojë që ndokush të jepte dëshmi për njeriun, sepse ai e dinte ç’kishte përbrenda njeriut.