1 Vegimi i Isaias, birit të Amotsit, që ai pa për Judën dhe Jeruzalemin në ditët e Uziahut, të Jothamit, të Ashazit dhe të Ezekias; mbretër të Judës; 2 Dëgjoni; o qiej; dhe dëgjo, o tokë, sepse Zoti ka folur: “Kam edukuar fëmijë dhe i rrita, ata u rebeluan kundër meje. 3 Kau e njeh të zotin e tij dhe gomari grazhdin e zotërisë së tij, por Izraeli nuk ka dije dhe populli im nuk ka mend”. 4 Mjerë, komb mëkatar, popull i ngarkuar me paudhësi, racë keqbërësish, bij që veprojnë në mënyrë të çoroditur! Kanë braktisur Zotin, kanë përçmuar të Shenjtin e Izraelit, kanë devijuar dhe janë kthyer prapa. 5 Pse doni që të goditeni edhe më? Do të ngrinit krye edhe më tepër. Gjithë koka është e sëmurë, gjithë zemra lëngon. 6 Nga tabani i këmbës deri te koka nuk ka asgjë të shëndoshë; vetëm plagë, vurrata dhe plagë të hapura, që nuk janë as pastruar, as lidhur as qetësuar me vaj. 7 Vendi juaj është shkretuar, qytetet tuaja janë djegur nga zjarri, tokën tuaj e përpijnë të huajtë para syve tuaj; është si një shkretim sikur ta kishin shkatërruar të huajtë. 8 Kështu bija e Sionit ka mbetur si një karakollë në një vresht, si një kasolle në një arë me shalqi, si një qytet i ngujuar. 9 Në qoftë se Zoti i ushtrive nuk do të na kishte lënë një mbetje të vogël, do të ishim si Sodoma, do t’i ngjisnim Gomorrës. 10 Dëgjoni fjalën e Zotit, o krerë të Sodomës, verini veshin ligjit të Perëndisë tonë, o popull i Gomorrës! 11 “Ç’më duhet shumica e flijimeve tuaja, thotë Zoti. Jam ngopur nga olokaustet e deshve dhe nga dhjami i kafshëve të majme; gjakun e demave, të qengjave dhe të cjepve nuk e pëlqej. 12 Kur vini të paraqiteni përpara meje, kush ua ka kërkuar këtë, që të shkelni oborret e mia? 13 Mos sillni më blatime të kota; temjani është neveri për mua; nuk mund t’i duroj hënat e reja dhe të shtunat, thirrjen e asambleve dhe paudhësinë bashkë me mbledhjet e shenjta. 14 Unë i urrej hënat e reja tuaja dhe festat tuaja solemne; janë një barrë për mua, jam lodhur duke i duruar. 15 Kur i shtrini duart tuaja, unë i fsheh sytë e mi nga ju; edhe kur i shumoni lutjet tuaja, unë nuk dëgjoj; duart tuaja janë tërë gjak. 16 Lahuni, pastrohuni, largoni nga prania ime ligësinë e veprimeve tuaja, mos bëni më keq. 17 Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë, ndihmoni të shtypurin, sigurojini drejtësi jetimit, mbroni çështjen e gruas së ve. 18 Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi. 19 Në rast se jeni të gatshëm të bindeni, do të hani gjërat më të mira të vendit; 20 por në rast se refuzoni dhe rebeloheni, do t’ju përpijë shpata,” sepse goja e Zotit ka folur. 21 Si bëhet që qyteti besnik është shndërruar në një prostitutë? Ishte plot ndershmëri, drejtësia qëndronte në të, por tani aty banojnë vrasësit. 22 Argjendi yt është bërë zgjyrë, vera jote është holluar me ujë. 23 Princat e tu janë rebelë dhe shokë me hajdutët; të gjithëve u pëlqejnë dhuratat dhe turren pas shpërblimeve. Nuk i sigurojnë drejtësi jetimit dhe çështja e gruas së ve nuk arrin para tyre. 24 Prandaj Perëndia, Zoti i ushtrive, i Fuqishmi i Izraelit thotë: “Po, do të hakmerrem me kundërshtarët e mi, do të marr hak me armiqtë e mi. 25 Do ta vë përsëri dorën time mbi ty, do të të pastroj nga zgjyrat e tua si me sodën dhe do të heq tërë plumbin tënd. 26 Do të rivendos gjyqtarët e tu siç ishin në krye dhe këshilltarët e tu siç ishin në fillim. Mbas kësaj do të quhesh “qyteti i drejtësisë,” “qyteti besnik”. 27 Sioni do të çlirohet me anë të drejtës dhe ata që do të pendohen me anë të drejtësisë. 28 Por rebelët dhe mëkatarët do të shkatërrohen së bashku, dhe ata që braktisin Zotin do të shfarosen. 29 Atëherë do t’ju vijë turp për lisat që keni dashur dhe do të skuqeni për kopshtet që keni zgjedhur. 30 Sepse do të jeni si një lis me gjethe të fishkura dhe si një kopësht pa ujë. 31 Njeriu i fortë do të jetë si kallamishtet dhe vepra e tij si një shkëndijë; do të digjen të dy bashkë dhe askush nuk do t’i shuajë”.