26 Atë ditë do të këndohet kjo këngë në vendin e Judës: “Ne kemi një qytet të fortë; Perëndia ka vënë shpëtimin për mure dhe për bastione. 2 Hapni portat dhe le të hyjë kombi i drejtë, që ruan besnikërinë”. 3 Mëndjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti. 4 Kini besim te Zoti përjetë, sepse Zoti, po, Zoti është shkëmbi i përjetshëm. 5 Ai ka përulur ata që rrinin lart, ka ulur qytetin e lartë, e ka ulur deri në tokë, e ka hedhur në pluhur; 6 këmbët e shkelin, pikërisht këmbët e të varfërit dhe hapat e mjeranëve. 7 Rruga e të drejtit është e drejtë; o Perëndi i drejtë, ti sheshon shtegun e të drejtit. 8 Po, në rrugën e gjykimeve të tua, o Zot, ne të kemi pritur. Dëshira e shpirtit tonë i drejtohet emrit tënd dhe kujtimit tënd. 9 Me shpirtin tim të dëshiroj natën, po, me frymën që është brenda meje të kërkoj në mëngjes herët; sepse kur shfaqen gjykimet e tua mbi tokë, banorët e botës mësojnë drejtësinë. 10 Në rast se falet i pabesi, ai nuk do ta mësojë drejtësinë; ai do të veprojë në mënyrë të çoroditur në vendin e ndershmërisë dhe nuk do të mund të shikojë madhështinë e Zotit. 11 O Zot, dora jote është ngritur, por ata nuk e shohin. Por ata do ta shohin zellin tënd për popullin tënd dhe do të mbeten të hutuar; po, zjarri i armiqve të tu do t’i përpijë. 12 O Zot, ti do të vendosësh paqen për ne, sepse ti kryen për ne çdo vepër tonën. 13 O Zot, Perëndia ynë, zotër të tjerë, veç teje, na kanë sunduar; por vetëm për ty të mbajmë mend emrin. 14 Të vdekurit nuk do të rijetojnë më, ata që shkuan nuk do të vijnë më; prandaj ti i ke ndëshkuar, ke shkatërruar dhe ke zhdukur çdo kujtim të tyre. 15 Ti e ke rritur kombin, o Zot, e ke rritur kombin, je përlëvduar; i ke zgjeruar tërë kufijtë e vendit. 16 O Zot, në çastet e fatkeqësisë të kanë kujtuar, kanë bërë një lutje kur ndëshkimi yt po i godiste. 17 Ashtu si një grua me barrë që është gati për të lindur dhe përpëlitet dhe ulërin nga të prerat që ka, kështu kemi qenë ne para teje, o Zot. 18 Jemi ngjizur, kemi ndjerë dhembjet, ashtu sikur të kishim për të lindur, por ishte vetëm erë; nuk i kemi dhënë asnjë shpëtim vendit dhe banorët e botës nuk kanë rënë. 19 Të vdekurit e tu do të rijetojnë, bashkë me kufomën time, do të ringjallen. Zgjohuni dhe gëzohuni, o ju që banoni në pluhur! Sepse vesa jote është si vesa e një drite që shkëlqen dhe toka do të nxjerrë në dritë të vdekurit. 20 Shko, o populli im, hyr në dhomat e tua, mbylli portat e tua prapa teje; fshihu për një çast, deri sa të kalojë zemërimi. 21 Sepse ja, Zoti del nga banesa e tij për të ndëshkuar paudhësinë e banorëve të tokës; toka do të nxjerrë në shesh gjakun e derdhur dhe nuk do të t’i fshehë më të vrarët e saj.