3 Atëherë Jobi hapi gojën dhe mallkoi ditën e lindjes së tij. 2 Kështu Jobi mori fjalën dhe tha: 3 “Humbtë dita në të cilën linda dhe nata që tha: “U ngjiz një mashkull!”. 4 Ajo ditë u bëftë terr, mos u kujdesoftë për të Perëndia nga lart, dhe mos shkëlqeftë mbi të drita! 5 E marrshin përsëri terri dhe hija e vdekjes, qëndroftë mbi të një re, furtuna e ditës e tmerroftë! 6 Atë natë e marrtë terri, mos hyftë në ditët e vitit, mos hyftë në llogaritjen e muajve! 7 Po, ajo natë qoftë natë shterpe, mos depërtoftë në të asnjë britmë gëzimi. 8 E mallkofshin ata që mallkojnë ditën, ata që janë gati të zgjojnë Leviathanin. 9 U errësofshin yjet e muzgut të tij, le të presë dritën; por mos e pastë fare dhe mos paftë ditën që agon, 10 sepse nuk e mbylli portën e barkut të nënës sime dhe nuk ua fshehu dhembjen syve të mi. 11 Pse nuk vdiqa në barkun e nënës sime? Pse nuk vdiqa sapo dola nga barku i saj? 12 Pse vallë më kanë pritur gjunjët, dhe sisët për të pirë? 13 Po, tani do të dergjesha i qetë, do të flija dhe do të pushoja, 14 bashkë me mbretërit dhe me këshilltarët e dheut, që kanë ndërtuar për vete rrënoja të shkretuara, 15 ose bashkë me princat që kishin ar ose që mbushën me argjend pallatet e tyre. 16 Ose pse nuk qeshë si një dështim i fshehur, si fëmijët që nuk e kanë parë kurrë dritën? 17 Atje poshtë të këqinjtë nuk brengosen më, atje poshtë çlodhen të lodhurit. 18 Atje poshtë të burgosurit janë të qetë bashkë, dhe nuk e dëgjojnë më zërin e xhelatit. 19 Atje poshtë ka të vegjël dhe të mëdhenj, dhe skllavi është i lirë nga pronari i tij. 20 Pse t’i japësh dritë fatkeqit dhe jetën atij që ka shpirtin në hidhërim, 21 të cilët presin vdekjen që nuk vjen, dhe e kërkojnë më tepër se thesaret e fshehura; 22 gëzohen shumë dhe ngazëllojnë kur gjejnë varrin? 23 Pse të lindë një njeri rruga e të cilit është fshehur, dhe që Perëndia e ka rrethuar nga çdo anë? 24 Në vend që të ushqehem, unë psherëtij, dhe rënkimet e mia burojnë si uji. 25 Sepse ajo që më tremb më shumë më bie mbi krye, dhe ajo që më tmerron më ndodh. 26 Nuk kam qetësi, nuk kam prehje, por më pushton shqetësimi”.