40 Zoti vazhdoi t’i përgjigjet Jobit dhe tha: 2 “Ai që kundërshton të Plotfuqishmin, a dëshiron vallë ta korrigjojë? Ai që qorton Perëndinë, t’i përgjigjet kësaj pyetjeje”. 3 Atëherë Jobi iu përgjigj Zotit dhe i tha: 4 “Ja, jam shpirtvogël, çfarë mund të të përgjigjem? E vë dorën mbi gojën time. 5 Kam folur një herë, por nuk do të flas më; po, dy herë, por nuk do të shtoj asgjë”. 6 Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha: 7 “Çohu, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh. 8 A dëshiron pikërisht të anulosh gjykimin tim, të më dënosh mua për të justifikuar vetveten? 9 A ke ti një krah si ai i Perëndisë dhe a mund të të gjëmojë zëri sa zëri i tij? 10 Stolisu, pra, me madhështi dhe madhëri, vishu me lavdi dhe me shkëlqim. 11 Jepu rrugë tërbimeve të zemërimit tënd; shiko tërë mendjemëdhenjtë dhe uli, 12 shiko tërë kryelartët dhe poshtëroji, dhe shtypi njerëzit e këqij kudo që të ndodhen. 13 Varrosi të tërë në pluhur, mbylli në vende të fshehta. 14 Atëherë edhe unë do të lëvdoj, sepse dora jote e djathtë të ka siguruar fitore. 15 Shiko behemothin që e kam bërë njëlloj si ti; ai ha barin si kau. 16 Ja, forca e tij qëndron në ijet dhe fuqia e tij në muskujt e barkut të tij. 17 E lëkund bishtin e tij si një kedër; nervat e kofshëve të tij janë të thurura mirë. 18 Kockat e tij janë si tuba prej bronzi; kockat e tij janë si shufra hekuri. 19 Ai është e para nga veprat e Perëndisë; vetëm ai që e bëri mund t’i afrohet atij me shpatën e tij. 20 Ndonëse malet prodhojnë ushqim për të, dhe aty tërë kafshët e fushave dëfrehen, 21 ai shtrihet nën bimët e lotusit, në vende të fshehura në kallamishte dhe në moçale. 22 Bimët e lotusit e mbulojnë me hijen e tyre, shelgjet e përroit e rrethojnë. 23 Lumi mund të dalë nga shtrati i tij, por ai nuk ka frikë; është i sigurt nga vetja e tij, edhe sikur Jordani të sulej kundër gojës së tij. 24 Kush, pra, mund ta zërë nga sytë apo t’i shpojë flegrat e hundës me gremça?