4 Kur tërë populli mbaroi së kapërcyeri Jordanin, Zoti i foli Jozueut, duke i thënë: 2 “Merrni nga radhët e popullit dymbëdhjetë burra, një për çdo fis, 3 dhe u jepni këtë urdhër, duke thënë: “Merrni dymbëdhjetë gurë që këtej, në mes të Jordanit, pikërisht në vendin ku u ndalën këmbët e priftërinjve, i merrni, me vete matanë lumit dhe i vendosni në vendin ku do të strehoheni sonte””. 4 Atëherë Jozueu thirri dymbëdhjetë burrat që kishte zgjedhur ndër bijtë e Izraelit, një për çdo fis, 5 dhe u tha atyre: “Kaloni para arkës së Zotit, Perëndisë tuaj, në mes të Jordanit, dhe secili prej jush të mbajë në kurriz një gur, simbas numrit të fiseve të bijve të Izraelit, 6 me qëllim që kjo të jetë një shenjë midis jush. Kur në të ardhmen bijtë tuaj do t’ju pyesin, duke thënë: “Ç’janë për ju këta gurë?,” 7 ju do t’u përgjigjeni kështu: “Ujërat e Jordanit u ndanë para arkës së besëlidhjes të Zotit; kur ajo kaloi Jordanin, ujërat e tij u ndanë dhe këta gurë do të jenë për bijtë e Izraelit një kujtim për jetë””. 8 Bijtë e Izraelit bënë pikërisht ashtu si i kishte urdhëruar Jozueu: morën dymbëdhjetë gurë në mes të Jordanit, ashtu si e kishte porositur Zoti Jozueun, në bazë të numrit të fiseve të Izraelit, dhe i morën me vete matanë lumit në vendin ku do të kalonin natën, dhe i vendosën aty. 9 Jozueu ngriti gjithashtu dymbëdhjetë gurë në mes të Jordanit, në vendin ku ishin ndalur këmbët e priftërinjve që mbanin arkën e besëlidhjes; dhe aty kanë mbetur deri më sot. 10 Priftërinjtë që mbanin arkën u ndalën në mes të Jordanit deri sa u plotësua tërësisht ajo që i kishte urdhëruar Zoti Jozueut t’i thoshte popullit, në bazë të të gjitha atyre që Moisiu i kishte urdhëruar Jozueut. Dhe populli u nxitua të kalojë lumin. 11 Kur tërë populli mbaroi së kaluari, arka e Zotit dhe priftërinjtë kaluan në prani të popullit. 12 Bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit kaluan të armatosur në krye të bijve të Izraelit, ashtu siç u kishte thënë Moisiu. 13 Rreth dyzet mijë njerëz me veshje lufte kaluan para Zotit në fushat e Jerikos, gati për të luftuar. 14 Po atë ditë, Zoti e bëri të madh Jozueun në sytë e tërë Izraelit, dhe banorët e tij patën frikë nga ai ashtu si patën frikë nga Moisiu gjatë gjithë ditëve të jetës së tij. 15 Pastaj Zoti i foli Jozueut dhe i tha: 16 “Urdhëro priftërinjtë që mbajnë arkën e Dëshmisë të dalin nga Jordani”. 17 Atëherë Jozueu urdhëroi priftërinjtë duke u thënë: “Dilni nga Jordani”. 18 Dhe ndodhi që kur priftërinjtë që mbanin arkën e besëlidhjes së Zotit, dolën nga Jordani dhe tabanët e këmbëve të tyre shkelën tokën e thatë, ujërat e Jordanit u kthyen në vendin e tyre dhe filluan të rrjedhin si më parë në lartësinë e brigjeve të tij. 19 Populli doli nga Jordani ditën e dhjetë të muajit të parë dhe ngriti kampin e tij në Gilgal, në skajin lindor të Jerikos. 20 Ata dymbëdhjetë gurë që i kishin marrë nga Jordani, Jozueu i çoi në Gilgal. 21 Pastaj u foli bijve të Izraelit dhe u tha atyre: “Kur në të ardhmen bijtë tuaj do t’i pyesin etërit e tyre duke thënë: “Ç’janë këta gurë?,” 22 ju do t’ua bëni të ditur bijve tuaj, duke thënë: “Izraeli e kaloi këtë Jordan në të thatë, 23 sepse Zoti, Perëndia juaj, i thau ujërat e Jordanit para jush deri sa të kalonit, ashtu si Zoti, Perëndia juaj, veproi në Detin e Kuq, të cilin e thau para nesh deri sa të kalonim, 24 me qëllim që tërë popujt e tokës të pranojnë që Zoti ka dorë të fuqishme, dhe që ju të keni gjithnjë frikë nga Zoti, Perëndia juaj””. i Pashkës