34 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: 2 “Urdhëro bijtë e Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur do të hyni në vendin e Kanaanit, ky është vendi që ju takon si trashëgimi, vendi i Kanaanit me këta kufij të veçantë: 3 Kufiri juaj jugor do të fillojë në shkretëtirën e Tsinit, gjatë kufirit të Edomit; kështu kufiri juaj do të shtrihet nga skaji i Detit të Kripur në drejtim të lindjes; 4 kufiri juaj do të shkojë pastaj nga e përpjeta e Akrabimit, do të kalojë nëpër Tsin dhe do të shtrihet në jug të Kadesh-Barneas; do të vazhdojë pastaj në drejtim të Hatsar-Adarit dhe do të kalojë nëpër Atsmoni. 5 Nga Atsmoni kufiri do të kthejë deri në përroin e Egjiptit dhe do të përfundojë në det. 6 Kufiri juaj në perëndim do të jetë Deti i Madh; ky do të jetë kufiri juaj perëndimor. 7 Ky do të jetë kufiri juaj verior: duke u nisur nga Deti i Madh do të caktoni kufirin tuaj deri në malin Hor; 8 nga mali Hor do të caktoni kufirin tuaj deri në hyrje të Hamathit, dhe skaji i kufirit do të jetë në Tsedad; 9 kufiri do të vazhdojë pastaj deri në Zifron dhe do të mbarojë në Hatsar-Enan; ky do të jetë kufiri juaj verior. 10 Do ta vijëzoni kufirin tuaj lindor nga Hatsar-Enani deri në Shefam; 11 kufiri do të zbresë nga Shefami në drejtim të Riblahut, në lindje të Ainit; pastaj kufiri do të zbresë dhe do të shtrihet deri sa të arrijë bregun lindor të detit të Kinerethit; 12 pastaj kufiri do të zbresë në drejtim të Jordanit, për të arritur deri në Detin e Kripur. Ky do të jetë vendi juaj me kufijtë e tij rreth e qark”. 13 Kështu Moisiu u njoftoi këtë urdhër bijve të Izraelit dhe u tha atyre: Ky është vendi që do të merrni si trashëgimi duke hedhur short, dhe që Zotii ka urdhëruar t’u jepet nëntë fiseve e gjysmë, 14 sepse fisi i bijve të Rubenit, në bazë të shtëpive të etërve të tyre, dhe fisi i bijve të Gadit, në bazë të shtëpive të etërve të tyre, dhe gjysma e fisit të Manasit e kanë marrë trashëgiminë e tyre. 15 Këto dy fise e gjysmë e kanë marrë trashëgiminë e tyre në lindje të Jordanit, mbi bregun përballë Jerikos, në drejtim të lindjes”. 16 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: 17 “Këta janë emrat e burrave që do të kryejnë ndarjen e vendit midis jush: prifti Eleazar dhe Jozueu, bir i Nunit. 18 Do të merrni edhe një prijës nga çdo fis, për të bërë ndarjen e vendit. 19 Këta janë emrat e burrave: Kalebi, bir i Jefunehut, nga fisi i Judës; 20 Shemueli, bir i Amihudit, nga fisi i bijve të Simeonit; 21 Elidadi, bir i Kislonit, nga fisi i Beniaminit; 22 prijësi Buki, bir i Joglit, nga fisi i bijve të Danit; 23 prijësi Haniel, bir i Efodit, për bijtë e Jozefit, nga fisi i bijve të Manasit; 24 prijësi Kemuel, bir i Shiftanit, për fisin e bijve të Efraimit; 25 prijësi Elitsafan, bir i Parnakut, për fisin e bijve të Zabulonit; 26 prijësi Paltiel, bir i Azanit, për fisin e bijve të Isakarit; 27 prijësi Ahihud, bir i Shelomit, për fisin e bijve të Asherit; 28 dhe prijësi Pedahel, bir i Amihudit, për fisin e bijve të Neftalit”. 29 Këta janë burrat të cilët Zoti i urdhëroi t’u jepnin trashëgiminë bijve të Izraelit në vendin e Kananit.