147 Lëvdoni Zotin, sepse është një gjë e mirë t’i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse është e kënaqshme dhe e leverdishme ta lëvdosh. 2 Zoti ndërton Jeruzalemin, dhe mbledh të humburit e Izraelit. 3 Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre. 4 Llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre. 5 I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij. 6 Zoti larton njerëzit e përulur, por ul deri në tokë njerëzit e këqij. 7 Këndojini Zotit me falenderim, këndojini me qeste lavde Perëndisë tonë, 8 që mbulon qiellin me re, përgatit shiun për tokën dhe bën që të rritet bari në malet. 9 Ai i jep ushqime bagëtisë dhe zogjve të korbeve që thërresin. 10 Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut. 11 Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij. 12 Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion. 13 Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje. 14 Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë. 15 Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun. 16 Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi. 17 Hedh breshërin e tij si me copa; kush mund t’i bëjë ballë të ftohtit të tij? 18 Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin. 19 Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij. 20 Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.