5 Vëru veshin fjalëve të mia, o Zot; dëgjo me vëmendje ankimin tim. 2 Dëgjo zërin e britmës sime, o mbreti im dhe Perëndia im, sepse ty të drejtoj lutjen time. 3 O Zot, ti në mëngjes dëgjon zërin tim; në mëngjes do ta lartoj drejt teje lutjen time dhe do të pres, 4 sepse ti nuk je një Perëndi që kënaqet në pabesinë; te ti nuk mund të zërë vend e keqja. 5 Ata që lëvdojnë vetveten, nuk do të mund të qëndrojnë para syve të tua; ti i urren të gjithë ata që kryejnë padrejtësi. 6 Ti do të zhdukësh gjithë ata që thonë gënjeshtra; Zoti urren njerëzit gjakatarë dhe mashtrues. 7 Por unë, për shkak të mirësisë sate të madhe, do të hyj në shtëpinë tënde dhe do të adhuroj me frikë të madhe, duke u drejtuar në tempullin tënd të shenjtë. 8 O Zot, më udhëhiq për drejtësinë tënde, për shkak të armiqve të mi; bëje të drejtë para meje rrugën tënde, 9 sepse në gojën e tyre nuk ka asnjë drejtësi; zemra e tyre nuk mendon gjë tjetër veç shkatërrimit; gryka e tyre është një varr i hapur; me gjuhën e tyre bëjnë lajka. 10 Dënoji ata, o Perëndi; mos u realizofshin synimet e tyre; përsëri për të këqijat e shumta që kanë kryer sepse kanë ngritur krye kundër teje. 11 Por le të gëzohen tërë ata që kanë strehë te ti, le të nxjerrin klithma gëzimi përjetë, sepse ti i mbron; le të ngazëllohen ata që duan emrin tënd, 12 sepse ti, o Zot, do të bekosh të drejtin; do ta rrethosh me hirin tënd si me mburojë.