51 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë. 2 Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im, 3 Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara. 4 Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon. 5 Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat. 6 Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës. 7 Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora. 8 Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato. 9 Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia. 10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur. 11 Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë. 12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës. 13 Atëherë do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje. 14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde. 15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd. 16 Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti. 17 Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar. 18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit. 19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.