58 A flisni pikërisht sipas drejtësisë ju, o të fuqishëm? A gjykoni ju drejt, o bij të njerëzve? 2 Në zemrën tuaj ju bluani përkundrazi të keqen; duart tuaja përhapin dhunën mbi tokë. 3 Këta të pabesë janë prishur që në barkun e nënës; këta gënjeshtarë kanë marrë rrugë të keqe që në lindje. 4 Helmi i tyre i ngjan helmit të gjarprit; janë si gjarpri helmues i shurdhër që i zë veshët e vet, 5 për të mos dëgjuar zërin e magjistarëve apo të atij që është i aftë të bëjë magji. 6 O Perëndi, thyej dhëmbët e tyre në gojë; o Zot, thyej dhëmbët e luanëve. 7 U shkrifshin si uji që rrjedh. Kur gjuan shigjetat e tij, ato u bëfshin si shigjeta pa majë. 8 U bëfshin si kërmilli që shkrihet ndërsa po shkon; si dështimi i gruas mos pafshin diellin. 9 Para se tenxheret tuaja të ndjejnë zjarrin e ferrishteve, qofshin këto të blerta apo të ndezura, ai do t’i heqë tutje si një vorbull. 10 I drejti do të gëzohet duke parë hakmarrjen; do të lajë këmbët në gjakun e të pabesit. 11 Dhe njerëzia do të thotë: “Me siguri ka një shpërblim për të drejtin; me siguri ka një Perëndi që gjykon mbi tokë”.