2 Por ti shpall ato që përkojnë me doktrinën e shëndoshë: 2 pleqtë të jenë të përmbajtur, dinjitozë, të urtë, të shëndoshë në besim, në dashuri, në durim. 3 Gjithashtu edhe gratë e moshuara të kenë sjellje ashtu si u ka hije shenjtoreve, jo shpifëse, jo robinja ndaj verës së shumtë, por mësuese të së mirës, 4 që t’i mësojnë të rejat të duan burrat e tyre, të duan bijtë e tyre, 5 të jenë fjalëpakë, të dlira, t’i kushtohen punëve të shtëpisë, të mira, të bindura ndaj burrave të tyre, që fjala e Perëndisë të mos blasfemohet. 6 Nxiti gjithashtu të rinjtë që të jenë të matur, 7 duke e nxjerrë në çdo gjë veten tënde si shembull veprash të mira, duke treguar në mësim pastërti, dinjitet, paprishshmëri, 8 një e folur e shëndoshë e të paqortueshme, që kundërshtari të turpërohet e të mos ketë të flasë asgjë të keqe për ju. 9 Shërbëtorët t’u binden zotërinjve të tyre, të mundohen t’i kënaqin në të gjitha gjërat, të mos i kundërshtojnë me fjalë, 10 të mos përvetësojnë gjënë e huaj, por të tregojnë një besnikëri të plotë, që në çdo gjë të nderojnë mësimin e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë. 11 Sepse hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq gjithë njerëzve, 12 dhe na mëson të mohojmë pabesinë dhe lakmitë e botës, sepse ne rrojmë me urtësi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë, 13 duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, 14 i cili e dha veten për ne, për të na shpenguar nga çdo paudhësi dhe për të pastruar për vete një popull të veçantë, të zellshëm në vepra të mira. 15 Mësoju këto gjëra, këshillo dhe qorto me çdo pushtet! Askush mos të përçmoftë.