3 Pastaj më bëri të shoh kryepriftin Jozue, që qëndronte drejt përpara engjëllit të Zotit, dhe Satanai që rrinte në të djathtën e tij për ta akuzuar. 2 Zoti i tha Satanait: “Të qortoftë ashpër Zoti, o Satana! Po, Zoti që ka zgjedhur Jeruzalemin, të qortoftë ashpër! A nuk është vallë ky një urë zjarri e shkëputur nga zjarri?”. 3 Jozueu ishte veshur me rroba të papastra dhe qëndronte drejt përpara engjëllit, 4 i cili nisi t’u thotë atyre që ishin përpara tij: “Ia hiqni nga trupi ato rroba të papastra!”. Pastaj i tha atij: “Shiko, kam zhdukur prej teje paudhësinë tënde dhe do të të bëj të veshësh rroba të shkëlqyera”. 5 Unë, pra, thashë: “Le të vënë mbi kokën e tij një çallmë të pastër”. Kështu ata i vunë mbi kokë një çallmë të pastër dhe e vunë të veshë rroba, ndërsa Engjëlli i Zotit ishte i pranishëm aty. 6 Dhe Engjëlli i Zotit e paralajmëroi solemnisht Jozueun duke thënë: 7 “Kështu thotë Zoti i ushtrive: Në qoftë se do të ecësh në rrugët e mia dhe do të respektosh ligjin tim, edhe ti do të kesh drejtimin e shtëpisë sime dhe do të ruash oborret e mia, dhe unë do të të lejoj të hysh lirisht midis këtyre që rrijnë këtu. 8 Dëgjo, pra, o Jozue, kryeprift, ti dhe shokët e tu që ulen përpara teje, sepse ata janë njerëz që japin paralajmërime. Ja, unë po të sjell këtu shërbëtorin tim, Filizin. 9 Ja guri që kam vënë përpara Jozueut: mbi këtë gur të vetëm ka shtatë sy; ja, unë do të gdhend mbishkrimin e tij,” thotë Zoti i ushtrive, “dhe do ta heq paudhësinë e këtij vendi në një ditë të vetme. 10 Në atë ditë,” thotë Zoti i ushtrive, “secili nga ju do të ftojë fqinjin e vet nën hardhinë e tij dhe nën fikun e tij”.