15 Pastaj pashë në qiell një shenjë tjetër të madhe dhe të mrekullishme: shtatë engjëj që kishin shtatë plagët e fundit, sepse me to u krye zemërimi i Perëndisë. 2 Dhe pashë një si det të qelqtë, të përzier me zjarr dhe në këmbë mbi detin e qelqtë, ata që kishin mundur bishën, figurën e saj, dhe damkën e saj edhe numrin e emrit të saj. Ata kishin qestet e Perëndisë, 3 dhe këndonin këngën e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë, dhe këngënn e Qengjit, duke thënë: “Të mëdha dhe të mrekullueshme janë veprat e tua, o Zot, Perëndi i plotfuqishëm; të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua, o Mbret i kombeve. 4 Kush nuk do të të druajë, o Zot, dhe nuk do të lëvdojë emrin tënd? Sepse vetëm ti je i Shenjtë; sepse të gjitha kombet do të vijnë dhe do të adhurojnë përpara teje, sepse gjykimet e tua u shfaqën.” 5 Dhe pas këtyre gjërave unë pashë dhe ja, u hap në qiell tempulli i tabernakullit të dëshmisë. 6 Dhe të shtatë engjëjt, që kishin të shtatë plagët, dolën nga tempulli, të veshur me lin të pastër dhe të shndritshëm, dhe të ngjeshur përreth gjoksit me breza ari. 7 Një nga të katër qeniet e gjalla u dha të shtatë engjëjve shtatë kupa ari, plot me zemërimi i Perëndisë, që rron në shekuj të shekujve. 8 Dhe tempulli u mbush me tym nga lavdia e Perëndisë dhe nga fuqia e tij; dhe askush nuk mund të hynte në tempull, derisa të mbaroheshin të shtatë plagët e të shtatë engjëjve.